‏ Isaiah 31

1Mjerë ata që zbresin në Egjipt në kërkim të ndihmës dhe u besojnë kuajve, kanë besim te qerret, sepse janë të shumta dhe te kalorësit, sepse janë shumë të fuqishëm, por nuk shikojnë të Shenjtin e Izraelit dhe nuk kërkojnë Zotin. 2Megjithatë edhe ai është i urtë dhe do të sjellë gjëmën; ai nuk do t'i tërheqë fjalët e tij, por do të ngrihet kundër shtëpisë së njerëzve të këqij dhe kundër ndihmës së atyre që bëjnë paudhësi. 3Por Egjiptasit janë njerëz dhe jo Perëndi, kuajt e tyre janë mish dhe jo frymë. Kur Zoti do të shtrijë dorën e vet, mbrojtësit do t'i merren këmbët dhe i mbrojturi do të rrëzohet, do të vdesin të gjithë bashkë. 4Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Ashtu si luani apo luanesha vrumbullin mbi prenë e vet (kur kundër tij është mbledhur një numër i madh barinjsh dhe ai nuk ka frikë nga britmat e tyre dhe as trëmbet nga zhurma e tyre), kështu do të zbresë Zoti i ushtrive për të luftuar në malin e Sionit dhe në kodrën e tij. 5Ashtu si zogjtë fluturojnë mbi të vegjëlit e tyre, kështu Zoti i ushtrive do të mbrojë Jeruzalemin, do ta mbrojë dhe do ta çlirojë, do ta kursejë dhe do ta shpëtojë". 6Kthehuni tek ai nga i cili jeni larguar shumë, o bij të Izraelit! 7Atë ditë secili do të flakë idhujt e tij prej argjendi dhe idhujt e tij prej ari, që duart tuaja kanë bërë duke mëkatuar për ju. 8"Atëherë Asiria do të bjerë nga një shpatë jo prej njeriu, dhe një shpatë jo prej njeriu do ta përpijë; do t'ia mbathë para shpatës dhe të rinjtë e tij do t'i nënshtrohen punës së detyruar. 9Nga frika do të kalojë përtej kështjellës dhe princat e saj do të tmerrohen për shkak të flamurit", thotë Zoti, që ka zjarrin e tij në Sion dhe furrën e tij në Jeruzalem.

Copyright information for Alb