Psalms 25
1Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim. 2O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua. 3Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak. 4O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. 5Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës. 6Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme. 7Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate. 8Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t'u mësojë rrugën mëkatarëve. 9Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t'u mësojë të përulurve rrugën e tij. 10Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij. 11Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe. 12Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t'i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë. 13Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën. 14Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij. 15Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m'i nxjerrë këmbët nga rrjeta. 16Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar. 17Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia. 18Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia. 19Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë. 20Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti. 21Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti. 22O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.
Copyright information for
Alb