Psalms 37
1Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, 2sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. 3Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. 4Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. 5Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar. 6Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita. 7Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij. 8Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen. 9Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës. 10Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. 11Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. 12I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij. 13Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij. 14Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre. 15Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen. 16Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve. 17Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët. 18Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë. 19Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen. 20Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave. 21I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron. 22Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen. 23Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij. 24Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore. 25Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë. 26Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim. 27Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme. 28Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t'i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen. 29Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të. 30Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi. 31Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden. 32I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë. 33Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet. 34Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh. 35E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes, 36por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më. 37Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja. 38Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen. 39Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë. 40Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.
Copyright information for
Alb