‏ Philemon

1Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë, 2motrës Apfi, bashkëluftëtarit tonë Arkipit, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde: 3hir dhe paqe mbi ju prej Perëndisë sonë, Atit, dhe Zotit Jezu Krisht. 4E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia, 5sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve, 6që bashkësia e besimit tënd të bëhet e frytshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju për shkak të Jezu Krishtit. 7Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë. 8Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh, 9më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit; 10të lutem për birin tim Onesim, që më lindi në prangat e mia, 11i cili dikur s'kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua, 12të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time. 13Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit; 14por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje. 15Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë, 16por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin. 17në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë! 18Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m'i ngarko mua. 19Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde! 20Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë! 21Të shkrova me plotbesim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them. 22Më përgatit njëkohësht një vend për të ndenjur, sepse shpresoj se, për hir të lutjeve tuaja, do t'ju dhurohem përsëri. 23Epafra, i burgosur bashkë me mua në Jezu Krishtin, 24Marku, Aristarku, Dema dhe Lluka, bashkëpunëtorët e mi, të bëjnë të fala. 25Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.

Copyright information for Alb