Philippians 4
1Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur. 2Bëj thirrje Evodisë, bëj thirrje gjithashtu Sintikës, të jenë të një mendje në Zotin. 3Të lutem edhe ty, shok i vërtetë, ndihmoji ato, që kanë luftuar me mua në ungjill, edhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës. 4Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni! 5Zemërbutësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër. 6Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. 7Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus. 8Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni. 9Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju. 10Dhe u gëzova shumë në Zotin, sepse më në fund kujdesi juaj për mua u rigjallërua; në realitet ju edhe e kishit në mendje, por nuk kishit rast. 11Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjëndjen që jam. 12Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. 13Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon. 14Po ju bëtë mirë që morët pjesë në pikëllimin tim. 15Edhe ju, o Filipianë, e dini se, në fillim të predikimit të ungjillit, kur u nisa nga Maqedonia, asnjë kishë nuk ndau me mua gjë për të dhënë a për të marrë, veç jush, 16sepse edhe në Thesaloniki më dërguat jo vetëm një herë por dy, përkujdesje kur isha në nevojë. 17Jo se unë po kërkoj dhurata, por kërkoj fryt që tepron për dobinë tuaj. 18Tani i kam të gjitha dhe më teprojnë; jam përplot, mbasi mora nga Epafroditi atë që më ishte dërguar nga ju, një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia. 19Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht. 20Perëndisë tonë e Atit tonë lavdi në shekuj të shekujve. Amen. 21Përshëndetni të gjithë shenjtorët në Jezu Krishtin. 22Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin; të gjithë shenjtorët ju përshëndesin, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit. 23Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.
Copyright information for
Alb