Nehemiah 1
1Fjalët e Nehemias, birit të Hakaliahut. Ndodhi që në muajin e Kisleut, në vitin e njëzetë, ndërsa unë ndodhesha në kalanë e Suzës, 2arriti në Judë Hanani, një nga vëllezërit e mi, bashkë me disa burra të tjerë. Unë i pyeta lidhur me Judejtë që kishin shpëtuar, që ishin kthyer gjallë nga robëria, dhe lidhur me Jeruzalemin. 3Ata më thanë: "Ata që kanë shpëtuar nga robëria janë atje poshtë në krahinë, në një varfëri të madhe dhe me faqe të zezë; përveç kësaj muret e Jeruzalemit janë plot me të çara dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri". 4Sa i dëgjova këto fjalë, u ula dhe qava; pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjerova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit. 5Dhe thashë: "Të lutem shumë, o Zot, Perëndia i qiellit, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që i qëndron besnik besëlidhjes dhe ke mëshirë për ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua, 6qofshin veshët e tua të vëmëndshëm dhe sytë e tu të hapur për të dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd që tani ta drejton ty ditën dhe natën për bijtë e Izraelit, shërbëtorë të tu, duke rrëfyer mëkatet e bijve të Izraelit, që ne kemi kryer kundër teje. Po, unë dhe shtëpia e atit tim kemi mëkatuar. 7Jemi sjellë shumë keq me ty dhe nuk kemi respektuar urdhërimet, statutet dhe dekretet që ti i ke urdhëruar Moisiut, shërbëtorit tënd. 8Mbaje mend fjalën që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd, duke i thënë: "Në qoftë se do të mëkatoni, unë do t'ju shpërndaj midis popujve; 9por në rast se do të ktheheni tek unë dhe do të respektoni urdhërimet e mia, dhe do t'i zbatoni në praktikë, edhe sikur njerëzit tuaj të shpërndarë të jenë në kufijtë e qiellit, unë do t'i mbledh që andej dhe do t'i sjell përsëri në vendin që kam zgjedhur ku të banojë emri im". 10Tani këta janë shërbëtorët e tu dhe populli yt, që ti i ke çliruar me fuqinë tënde të madhe dhe me dorën tënde të fortë. 11O Zot, të lutem, qofshin veshët e tu të vëmëndshëm ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së shërbëtorëve të tu që ndjejnë kënaqësi kur kanë frikë prej emrit tënd; jepi, madje sot të lutem, një sukses të mirë shërbëtorit tënd, duke bërë që ai të gjejë zemërbutësi në sytë e këtij njeriu". Unë atëherë isha kupëmbajtësi i mbretit.
Copyright information for
Alb