Judges 1
1Mbas vdekjes së Jozueut, bijtë e Izraelit konsultuan Zotin, duke thënë: "Kush prej nesh ka për të vajtur i pari të luftojë kundër Kananejve?". 2Zoti u përgjegj: "Do të shkojë Juda; ja, vendin ia kam dhënë në duart e tij". 3Atëherë Juda i tha Simeonit, vëllait të tij: "Eja me mua në vendin që më ra me short dhe do të luftojmë kundër Kananejve; pastaj edhe unë do të vij në vendin që të ra ty me short". Dhe Simeoni u nis me të. 4Juda, shkoi, pra, dhe Zoti u la në dorë Kananejtë dhe Perezejtë; dhe në Bezek vranë dhjetë mijë burra. 5Dhe në Bezek gjetën Adoni-Bezekun dhe e sulmuan; mundën Kananejtë dhe Perezejtë. 6Adoni-Bezeku ia mbathi, por ata e ndoqën e zunë dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve. 7Atëherë Adoni-Bezeku tha: "Shtatëdhjetë mbretër me gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve të prerë mblidhnin ato që mbeteshin në tryezën time. Perëndia më ktheu atë që kam bërë". E çuan pastaj në Jeruzalem ku vdiq. 8Bijtë e Judës sulmuan Jeruzalemin dhe e morën; i vranë me shpatë banorët e tij dhe i vunë flakën qytetit. 9Pastaj bijtë e Judës zbritën të luftojnë Kananejtë, që banonin në krahinën malore, në Negev dhe në ultësirë. 10Juda marshoi pastaj kundër Kananjve që banonin në Hebron (emri i të cilit më parë ishte Kirjath-Arba) dhe mundi Seshain, Ahimanin dhe Talmain. 11Që këtej marshoi kundër banorëve të Debirit (që më parë quhej Kirjath-Sefer). 12Atëherë Kalebi tha: "Atij që do të sulmojë Kiriath-Seferin dhe do ta shtjerë në dorë, unë do t'i jap për grua bijën time Aksah". 13E pushtoi Othnieli, bir i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe ky i dha për grua bijën e tij Aksah. 14Kur ajo erdhi të banojë me të, e bindi t'i kërkojë të atit të saj një fushë. Sapo ajo zbriti nga gomari, Kalebi e pyeti: "Çfarë kërkon?". 15Ajo u përgjegj: "Më bëj një dhuratë, me qenë se ti më dhe toka në Negev, më jep edhe disa burime ujore". Atëherë ai i dhuroi burimet e sipërme dhe ato të poshtme. 16Atëherë bijtë e Keneos, vjehrrit të Moisiut, shkuan nga qyteti i palmave bashkë me bijtë e Judës në shkretëtirën e Judës, që ndodhet në Negev, afër Aradit; shkuan dhe u vendosën midis popullit. 17Pastaj Juda u nis bashkë me vëllanë e tij Simeon dhe mundi Kananejtë që banonin në Tsefath dhe vendosën shfarosjen e tyre; për këtë arsye qyteti u quajt Hormah. 18Juda mori edhe Gazën me territorin e saj, Askalonin me territorin e tij dhe Ekronin me territorin e tij. 19Kështu Zoti mbajti anën e Judës, që dëboi banorët e krahinës malore, por nuk mundi të dëbojë banorët e fushës, sepse kishin qerre të hekurta. 20Pastaj i dhanë Hebronin Kalebit, ashtu si kishte thënë Moisiu; dhe ai i dëboi tre bijtë e Anakut. 21Bijtë e Beniaminit nuk arritën t'i dëbojnë Jebusejtë që banonin në Jeruzalem; kështu Jebusejtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jeruzalem deri në ditën e sotme. 22Edhe shtëpia e Jozefit u ngrit gjithashtu kundër Bethelit, dhe Zoti qe me ta. 23Shtëpia e Jozefit dërgoi njerëz për të vëzhguar në Bethel (qytet që më parë qyhej Luc). 24Zbuluesit panë një burrë që dilte nga qyteti dhe i thanë: "Tregona rrugën për të hyrë në qytet dhe ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty". 25Ai u tregoi rrugën për të hyrë në qytet, dhe ata i vranë me shpatë banorët e qytetit, por e lanë të shkojë atë burrë me gjithë familjen e tij. 26Ai shkoi në vendin e Hitejve dhe ndërtoi aty një qytet që e quajti Luc, emër që mban edhe sot e kësaj dite. 27Manasi përkundrazi nuk i dëboi banorët e Beth-Sheanit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Tanaakut dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Dorit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Ibleamit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Megidos dhe të fshatrave të tij kufitarë, sepse Kananejtë ishin të vendosur të qëndronin në atë vend. 28Më vonë, kur Izraeli u bë i fortë, i nënshtroi Kananejtë dhe i bëri skllevër, por nuk i dëboji krejt. 29As Efraimi nuk i dëboi Kananejtë që banonin në Gezer; kështu Kananejtë banuan në Gezer në mes të tyre. 30As Zabuloni nuk i dëboi banorët e Kitronit dhe ata të Nahalolit; kështu Kananejtë banuan në mes të tyre, por iu nënshtruan skllavërisë. 31As Asheri nuk i dëboi banorët e Akosit, as banorët të Sidonit, as ata të Ahlabit, të Akzibit, të Helbahut, të Afikut dhe të Rehobit; 32kështu bijtë e Asherit u vendosën në mes të Kananejve që banonin në këtë vend, sepse nuk i dëbuan. 33As Neftsali nuk i dëboi banorët e Beth-Shemeshit dhe ata të Beth-Anathit, dhe u vendos në mes të Kananejve që banonin në këtë vend; por banorët e Beth-Shemeshit dhe të Beth-Anathit iu nënshtruan skllavërisë. 34Amorejtë i detyruan bijtë e Danit të qëndronin në krahinën malore dhe nuk i lanë të zbresin në luginë. 35Amorejtë ishin të vendosur të qëndronin në malin Heres, në Ajalon dhe në Shaal-Bim; por kur dora e shtëpisë së Jozefit u fuqizua, ata iu nënshtruan skllavërisë. 36Kufiri i Amorejve shtrihej nga e përpjeta e Akrabimit, nga Sela e lart.
Copyright information for
Alb