Joshua 22
1Pastaj Jozueu thirri Rubenitët, Gaditët dhe gjysmën e fisit të Manasit dhe u tha atyre: 2"Ju keni zbatuar të gjitha ato që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju kishte urdhëruar dhe i jeni bindur zërit tim lidhur me ato që ju kam porositur. 3Ju nuk keni braktisur vëllezërit tuaj gjatë kësaj kohe të gjatë deri më sot dhe keni zbatuar urdhrat që Zoti, Perëndia juaj, ju ka porositur. 4Dhe tani që Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë të pushojnë vëllezërit tuaj, ashtu siç u kishte premtuar, kthehuni dhe shkoni në çadrat tuaja në vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka caktuar matanë Jordanit. 5Vetëm kini kujdes të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka dhënë, duke e dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha rrugët e tij, duke zbatuar të gjitha urdhërimet e tij, duke qendruar sa më afër tij dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt". 6Pastaj Jozueu i bekoi dhe u dha urdhër të largohen, dhe ata u kthyen në çadrat e tyre. 7Moisiu i kishte dhënë gjysmës së fisit të Manasit një trashëgimi në Bashan, kurse Jozueu i dha gjysmës tjetër një trashëgimi midis vëllezërve të tyre, nga kjo anë e Jordanit, në perëndim. Kështu, kur Jozueu i ktheu në çadrat e tyre, i bekoi, 8dhe u foli atyre, duke thënë: "Ju po ktheheni në çadrat tuaja me pasuri të mëdha, me një numër të madh bagëtish, me argjend, me flori, me bronz, me hekur e një numër të madh rrobash; ndani me vëllezërit plaçkën e armiqve tuaj". 9Kështu bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u kthyen, duke i lënë bijtë e Izraelit në Shilon, në vendin e Kanaanit, për të shkuar në vendin e Galaadit, pronë e tyre dhe që e kishin marrë simbas urdhrit të dhënë nga Zoti me anë të Moisiut. 10Pasi arritën në brigjet e Jordanit që ndodhet në vendin e Kanaanit, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit ndërtuan një altar, pranë Jordanit, një altar me pamje të madhërishme. 11Bijtë e Izraelit dëgjuan se thuhej: "Ja, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kanë ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në brigjet e Jordanit, në anën e pushtuar nga bijtë e Izraelit". 12Kur bijtë e Izraelit e mësuan këtë gjë, tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shilon për të bërë luftë kundër tyre. 13Atëherë bijtë e Izraelit u dërguan bijve të Rubenit, bijve të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit, në vendin e Galaadit, Finehasin, birin e priftit Eleazar, 14dhe bashkë me të dhjetë princa, një princ për çdo shtëpi atërore të fiseve të ndryshme të Izraelit; secili prej tyre ishte kreu i një shtëpie atërore midis ndarjeve të Izraelit. 15Ata shkuan te bijtë e Rubenit, te bijtë e Gadit dhe te gjysma e fisit të Manasit në vendin e Galaadit dhe folën me ta, duke thënë: 16"Kështu thotë tërë asambleja e Zotit: "Ç'është kjo shkelje që keni kryer kundër Perëndisë së Izraelit, duke mos e ndjekur më sot Zotin, duke ndërtuar një altar për të ngritur krye sot kundër Zotit? 17Mos qe vallë gjë e vogël paudhësia e Peorit, nga e cila nuk jemi larë ende deri më sot dhe që solli një fatkeqësi mbi asamblenë e Zotit, 18që ju shtyn sot të mos e ndiqni Zotin? Sepse, po të jetë se sot ngreni krye kundër Zotit, nesër ai do të zemërohet kundër tërë asamblesë së Izraelit. 19Në qoftë se e konsideroni të papastër vendin që zotëroni, mund të kaloni në vendin që është pronë e Zotit, ku ndodhet tabernakulli i Zotit, dhe të banoni midis nesh; por mos ngrini krye kundër Zotit dhe kundër nesh, duke ndërtuar një altar përveç atij të Zotit, Perëndisë tonë. 20Kur Akani, bir i Zerahut, kreu një shkelje në gjërat e caktuara të shfarosen, a nuk tërhoqi vallë zemërimin e Zotit mbi gjithë asamblenë e Izraelit? Dhe ai njeri nuk qe i vetmi që gjeti vdekjen në paudhësinë e tij"". 21Atëherë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u përgjegjën dhe u thanë krerëve të ndarjeve të Izraelit: 22"Zoti Perëndia i perëndive, Zoti Perëndia i perëndive! Ai e di, bile edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit, mos na kurseni në këtë ditë. 23Në rast se kemi ndërtuar një altar për të mos e ndjekur më Zotin ose për të ofruar mbi të olokaustet apo blatime ushqimore, ose për të bërë mbi të flijime falënderimi, le të na kërkojë llogari vetë Zoti! 24Por në të vërtetë ne e bëmë këtë me frikë, për një arësye, duke menduar që në të ardhmen pasardhësit tuaj mund t'u thonin pasardhësve tanë: "Çfarë ju lidh me Zotin, Perëndinë e Izraelit? 25Zoti e ka vënë Jordanin si kufi midis jush dhe nesh, o bij të Rubenit, o bij të Gadit; ju nuk keni asnjë pjesë te Zoti". Kështu pasardhësit tuaj mund t'i largojnë pasardhësit tanë nga frika e Zotit. 26Prandaj thamë: "Le të ndërtojmë një altar, jo për olokauste as për flijime, 27por që të shërbejë si dëshmi midis jush dhe nesh dhe midis pasardhësve tanë pas nesh, në mënyrë që të mund të kryejmë shërbimin e Zotit përpara tij, me olokaustet tona, flijimet tona dhe ofertat tona të falënderimit, me qëllim që pasardhësit tuaj të mos u thonë një ditë pasardhësve tanë: Ju nuk keni asnjë pjesë tek Zoti". 28Prandaj thamë: Në rast se ndodh që një ditë të na thonë këtë neve ose pasardhësve tanë, atëherë do të përgjigjemi: Shikoni formën e altarit të Zotit që ndërtuan etërit tanë, jo për olokauste as për flijime, por që të shërbejë si dëshmitar midis nesh dhe jush. 29Nuk na ka shkuar mendja të ngremë krye kundër Zotit dhe as të heqim dorë nga bindja ndaj Zotit, duke ndërtuar një altar për olokaustet, për blatimet e ushqimit ose për flijimet, përveç altarit të Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tabernakullit të tij!". 30Kur prifti Finehas dhe princat e asamblesë, krerët e ndarjeve të Izraelit që ishin me të, dëgjuan fjalët që thanë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe bijtë e Manasit, mbetën të kënaqur. 31Atëherë Finehasi, bir i priftit Eleazar, u tha bijve të Rubenit, të Gadit dhe të Manasit: "Sot pranojmë që Zoti është midis nesh, sepse ju nuk keni kryer këtë shkelje ndaj Zotit; kështu i keni shpëtuar bijtë e Izraelit nga dora e Zotit". 32Pastaj Finehasi, bir i priftit Eleazar dhe princat i lanë bjtë e Rubenit dhe të Gadit, dhe vendin e Galaadit, dhe u kthyen në vendin e Kanaanit pranë bijve të Izraelit, të cilëve u treguan ngjarjen. 33Kjo gjë u pëlqeu bijve të Izraelit, dhe bijtë e Izraelit bekuan Perëndinë, dhe nuk folën më të shkojnë për të luftuar kundër bijve të Rubenit dhe të Gadit dhe të shkatërronin vendin në të cilin ata banonin. 34Dhe bijtë e Rubenit dhe të Gadit e quajtën "Dëshmitar" këtë altar, sepse thanë: "Ai është dëshmitar midis nesh që Zoti është Perëndia".
Copyright information for
Alb