‏ Jonah 2

1Atëherë Jona iu lut Zotit, Perëndisë të tij, nga barku i peshkut dhe tha: 2"Në fatkeqësinë time i thirra Zotit dhe ai m'u përgjigj; nga gjiri i Sheolit i thirra dhe ti e dëgjove zërin tim. 3Më hodhe në një vend të thellë, në zemër të deteve, rryma më mori dhe gjithë dallgët e tua dhe valët e tua më kaluan sipër. 4Atëherë thashë: U dëbova nga prania jote. Megjithatë do të shikoj akoma në drejtim të tempullit tënd të shenjtë. 5Ujërat më kanë rrethuar deri në shpirt, humnera më ka mbështjellë, algat u mblodhën rreth kokës sime. 6Zbrita deri në themelet e maleve, toka mbylli shufrat e saj pas meje për gjithnjë, por ti e ngrite jetën time nga gropa, o Zot, Perëndia im. 7Kur shpirti im po ligështohej brenda meje, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri te ti, në tempullin tënd të shenjtë. 8Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin vetë burimin e hirit të tyre. 9Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. Shpëtimi i përket Zotit". 10Atëherë Zoti i foli peshkut dhe peshku e volli Jonan në breg.

Copyright information for Alb