‏ John 18

1Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij. 2Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij. 3Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë. 4Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, doli dhe i pyeti: ''Kë kërkoni?''. 5Ata iu përgjigjën: ''Jezusin Nazareas''. Jezusi u tha atyre: ''Unë jam!''. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. 6Sapo ai u tha atyre: ''Unë jam'', ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe. 7Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ''Kë kërkoni?''. Ata thanë: ''Jezusin Nazareas''. 8Jezusi u përgjigj: ''Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë''; 9që të përmbushej fjala që kishte thënë: ''Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë''. 10Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk. 11Por Jezusi i tha Pjetrit: ''Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?''. 12Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. 13E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti. 14Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin. 15Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit. 16Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri. 17Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ''Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?''. Ai u përgjigj: ''Nuk jam''. 18Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej. 19Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij. 20Jezusi iu përgjigj: ''Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s'kam thënë asgjë në fshehtësi. 21Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç'u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë''. 22Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ''Kështu i përgjigjesh kryepriftit?''. 23Jezusi i tha: ''Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?''. 24Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti. 25Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ''Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?''. Ai e mohoi dhe tha: ''Nuk jam''. 26Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ''A s'të pashë në kopsht me të?''. 27Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli. 28Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën. 29Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ''Ç'padi sillni kundër këtij njeriu?''. 30Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar''. 31Atëherë Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj'' Por Judenjtë i thanë: ''Neve nuk na lejohet të vrasim njeri''. 32Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç'vdekje duhej të vdiste. 33Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. 34Jezusi iu përgjigj: ''E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?''. 35Pilati iu përgjigj: ''Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?''. 36Jezusi u përgjigj: ''Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej''. 37Atëherë Pilati i tha: ''Ti, pra, qenke mbret?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim''. 38Pilati e pyeti: ''Ç'është e vërteta?''. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ''Unë nuk po gjej në të asnjë faj! 39Por ndër ju është zakon që unë t'ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t'ju liroj mbretin e Judenjve?''. 40Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ''Jo këtë, por Barabanë!''. Por Baraba ishte një kusar.

Copyright information for Alb