‏ Job 39

1A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave? 2A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin? 3Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre. 4Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre. 5Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër, 6të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë? 7Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie. 8Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër. 9Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd? 10A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje? 11A do t'i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t'ia lësh atij punën tënde? 12A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë? 13Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut. 14Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur. 15duke harruar që një këmbë mund t'i shtypë ose një kafshë e fushave mund t'i shkelë. 16I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë, 17sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi. 18Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij. 19A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten? 20A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr. 21Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë. 22Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës. 23Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta. 24Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria. 25Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës. 26Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut? 27Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta? 28Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta. 29Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg. 30Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo".

Copyright information for Alb