‏ Job 24

1"Pse vallë i Plotfuqishmi nuk i rezervon vetes kohëra dhe ata që e njohin nuk shohin ditët e tij? 2Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë; 3u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve; 4i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen. 5Ja ku janë, si gomarë të egjër në shkretëtirë dalin në punën e tyre herët në mëngjes për të kërkuar ushqim; shkretëtira jep ushqim për ta dhe për bijtë e tyre. 6Mbledhin forazhin e tyre në fushat dhe mbledhin vilet e pavjela në vreshtin e të pabesit. 7E kalojnë natën lakuriq, pa rroba, dhe nuk kanë me se të mbulohen nga të ftohtit. 8Të lagur nga rrebeshet që vijnë nga malet, për mungesë strehe shtrëngohen pas shkëmbinjve. 9Të tjerë e rrëmbejnë nga gjiri jetimin dhe marrin pengje nga të varfrit. 10E detyrojnë të varfrin të shkojë pa rroba dhe u marrin duajt të uriturve. 11Bëjnë vaj midis mureve të të pabesëve, e shtrydhin rrushin në trokull, por kanë etje. 12Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë. 13Të tjerë janë armiq të dritës, nuk njohin rrugët e saj dhe nuk qëndrojnë në shtigjet e saj. 14Vrasësi ngrihet në të gdhirë, për të vrarë të varfrin dhe nevojtarin; natën përkundrazi sillet si vjedhësi. 15Syri i shkelësit të kurorës bashkëshortore pret muzgun duke menduar: "Askush nuk do të më shohë", dhe vë një vel mbi fytyrën e tij. 16Natën depërtojnë nëpër shtëpitë; ditën rrinë mbyllur; nuk e njohin dritën. 17Mëngjesi është për ta si hija e vdekjes, sepse ata i njohin mirë tmerret e hijes së vdekjes. 18Kalojnë shpejt mbi sipërfaqen e ujërave, pjesa e tyre është e mallkuar mbi tokë, dhe askush nuk do të hynte më në vreshtat e tyre. 19Ashtu si thatësia dhe vapa tretin ujërat e dëborës, kështu bën edhe Sheoli me atë që ka mëkatuar. 20Gjiri i nënës e harron, krimbat e hanë duke e shijuar; atë nuk do ta kujtojnë më; i keqi do të pritet si një dru. 21Ai gëlltiste gruan shterpë që nuk ka fëmijë dhe nuk i bënte asnjë të mirë gruas së ve! 22Por Perëndia me forcën e tij tërheq tutje të fuqishmit dhe, në qoftë se shfaqen përsëri, asnjeri nuk mund të jetë i sigurt për jetën e tij. 23U jep siguri dhe ata i besojnë asaj; megjithatë sytë e tij kundrojnë rrugët e tyre. 24Ngrihen për pak kohë, por pastaj nuk janë më; rrëzohen dhe çohen tutje si gjithë të tjerët; priten si kokat e kallinjve të grurit. 25Në qoftë se nuk është kështu, kush mund të më përgënjeshtrojë dhe të shfuqizojë vlerën e fjalëve të mia?".

Copyright information for Alb