‏ Job 20

1Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha: 2"Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime. 3Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj. 4A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë, 5triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast? 6Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë, 7ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?". 8Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate. 9Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më. 10Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij. 11Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të. 12Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë, 13nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë. 14Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij. 15Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t'ia nxjerrë nga barku. 16Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë. 17Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë. 18Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij. 19Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar. 20Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë. 21Asgjë nuk do t'i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë. 22Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij. 23Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë. 24Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi. 25Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri. 26Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth. 27Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij. 28Të ardhurat e shtëpisë së tij do t'i merren, do t'i marrin në ditën e zemërimit të tij. 29Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.

Copyright information for Alb