‏ Job 19

1Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 2"Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja? 3U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni. 4Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua. 5Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim, 6mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij. 7Ja, unë bërtas: "Dhunë!", por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka! 8Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time. 9Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën. 10Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time. 11Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij. 12Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime. 13Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua. 14Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar. 15Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj. 16Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t'i lutem me gojën time. 17Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim. 18Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje. 19Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje. 20Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve. 21Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur. 22Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim? 23Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër; 24sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb! 25Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. 26Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. 27Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra. 28Në rast se thoni: "Pse e persekutojmë?"; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë, 29ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim".

Copyright information for Alb