Job 16
1Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 2"Gjëra të tilla kam dëgjuar shumë! Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm! 3Kur do të marrin fund fjalimet tuaja boshe? Ose çfarë të shtyn të përgjigjesh? 4Edhe unë mund të flisja si ju, po të ishit ju në vendin tim; do të mund të radhitja fjalë kundër jush duke tundur kokën time kundër jush. 5Por do t'ju jepja kurajo me gojën time dhe ngushëllimi i buzëve të mia do ta lehtësonte dhembjen tuaj. 6Në rast se flas, dhembja ime nuk pakësohet, në qoftë se nuk flas më, çfarë lehtësimi kam? 7Por tani ai më ka çuar në pikën e fundit të forcave të mia. Ti ke shkatërruar tërë familjen time; 8më ke mbuluar me rrudha dhe kjo dëshmon kundër meje, dobësia ime ngrihet dhe dëshmon kundër meje. 9Zemërimi i tij më grin dhe më përndjek, kërcëllin dhëmbët kundër meje; Armiku im mpreh shikimin mbi mua. 10Duke hapur gojën e tyre kundër meje, ata më godasin me përçmim mbi faqet, mblidhen tok kundër meje. 11Perëndia më ka dhënë në duart e të pabesëve, më ka dorëzuar në duart e njerëzve të këqij. 12Jetoja i qetë, por ai më shkatërroi, më kapi për qafe dhe më bëri copë-copë, dhe më shndërroi në objekt goditjeje. 13Harkëtarët e tij më rrethojnë në çdo anë, më shpon pa mëshirë veshkat, derdh për tokë vrerin tim. 14Ai më sulmon vazhdimisht me forcë, më sulet si një luftëtar. 15kam qepur një grathore mbi lëkurën time, e kam ulur ballin tim në pluhur, 16Fytyra ime është e kuqe nga të qarat dhe mbi qepallat e mia po zë vend hija e vdekjes, 17megjithëse nuk ka asnjë dhunë në duart e mia, dhe lutja ime është e pastër. 18O tokë, mos e mbulo gjakun tim, dhe britma ime mos gjeftë asnjë vend qetësimi. 19Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart. 20Shokët e mi më përqeshin, por sytë e mi derdhin lotë përpara Perëndisë. 21Le të përkrahë ai arsyetimet e njeriut pranë Perëndisë, ashtu si bën njeriu me fqinjin e tij. 22Do të kalojnë në të vërtetë edhe pak vjet akoma dhe unë do të shkoj pastaj në një rrugë pa kthim.
Copyright information for
Alb