Job 14
1"Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. 2Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë. 3Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty. 4Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush. 5Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t'i kapërcejë. 6Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat. 7Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë. 8Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe, 9me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë. 10Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra? 11Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet, 12por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij. 13Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje! 14Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim. 15Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua. 16Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia; 17do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim. 18Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij, 19ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut. 20Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon. 21Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re. 22Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.
Copyright information for
Alb