Hosea 2
1"U thoni vëllezërve tuaj: "Ami", dhe motrave tuaja "Ruhamah". 2Protestoni kundër nënës suaj, protestoni, sepse ajo nuk është gruaja ime dhe unë nuk jam burri i saj. Le të heqë nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve të saj dhe shenjat e shkeljeve të kurorës nga sisët e saj; 3përndryshe do ta zhvesh lakuriq dhe do ta bëj si në ditën e lindjes së saj; do ta katandis në një shkreti, do ta bëj si një tokë të zhuritur dhe do ta bëj të vdesë nga etja. 4Nuk do të kem mëshirë për bijtë e saj, sepse janë bij prostitucioni. 5Nëna e tyre u kurvërua në fakt, ajo që është ngjizur është sjellë në mënyrë të turpshme, sepse ka thënë: "Do t'u shkoj pas dashnorëve të mi, që më japin bukën time dhe ujin tim, leshin tim dhe lirin tim, vajin tim dhe pijen time". 6Prandaj ja, do të të zë rrugën me ferra, do ta mbyll me një mur dhe kështu nuk do të gjejë më shtigjet e saj. 7Do të rendë pas dashnorëve të saj, por nuk do t'i arrijë; do t'i kërkojë, por nuk do t'i gjejë. Atëherë do të thotë: "Do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani". 8Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj, që ata i ofronin Baalit. 9Prandaj unë do të marr përsëri grurin tim në kohën e vet dhe mushtin tim në stinën e vet; do t'i heq leshin tim dhe lirin tim, që shërbenin për të mbuluar lakuriqësinë e saj. 10Atëherë do të zbuloj turpet e saj në sytë e dashnorëve të saj dhe askush nuk do ta shpëtojë nga dora ime. 11Gjithashtu do t'u jap fund gëzimeve të saj, festave të saj, hënave të reja të saj, të shtunave të saj dhe gjithë solemniteteve të saj. 12Do të shkatërroj pastaj vreshtat e saj dhe fiqtë e saj për të cilët ajo thoshte: "Këto janë dhuratat që më kanë dhënë dashnorët e mi". Kështu do t'i katandis në një shkurrnajë dhe kafshët e fushave do t'i hanë. 13Do ta dënoj pastaj për ditët e Baalit, kur u digjte atyre temjan, kur zbukurohej me vathë dhe me xhevahire dhe u shkonte pas dashnorëve të saj, por më harronte mua", thotë Zoti. 14"Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t'i flas zemrës së saj. 15Atëherë do t'i jap vreshtat e saj dhe luginën e Akorit si portë e shpresës; atje ajo do të këndojë si në ditët e rinisë së saj, ashtu si veproi kur dolin nga vendi i Egjiptit. 16Atë ditë do të ndodhë, thotë Zoti, që ti do të më quash: "Burri im", dhe nuk do të më quash më: "Baali im". 17Do të heq nga goja e saj emrat e Baalëve dhe nuk do t'i kujtojnë më emrat e tyre. 18Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës. Do të thyej harkun, shpatën dhe luftën duke i eliminuar nga toka dhe do të bëj të prehen të qetë. 19Do të fejohesh me mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri. 20Do të fejohesh me mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin. 21Atë ditë do të ndodhë që unë do të përgjigjem", thotë Zoti. "Do t'i përgjigjem qiellit dhe ky do t'i përgjigjet tokës; 22dhe toka do të përgjigjet me grurin, mushtin dhe vajin, dhe këta do t'i përgjigjen Jezreelit. 23Unë do të mbjell për vete mbi tokë dhe do të më vijë keq për Lo-ruhamahun; dhe do t'i them Lo-amit: "Ti je populli im", dhe ai do më përgjigjet: "Ti je Perëndia im"".
Copyright information for
Alb