‏ Genesis 27

1Kur Isaku u plak dhe sytë e tij u dobësuan aq shumë sa nuk shikonte më, ai thirri të birin Esau dhe i tha: "Biri im!". 2Esau i tha: "Ja ku jam!". Atëherë Isaku i tha: "Ja, unë jam plak dhe nuk e di në ç'ditë kam për të vdekur. 3Prandaj merr tani armët e tua, kukurën dhe harkun tënd, dil nëpër fushat dhe kap për mua kafshë gjahu; 4pastaj më përgatit një gjellë të shijshme nga ato që më pëlqejnë dhe sillma, që unë ta ha dhe shpirti im të të bekojë para se të vdes". 5Tani Rebeka rrinte duke dëgjuar, ndërsa Isaku i fliste birit të tij Esau. Kështu Esau shkoi nëpër fusha për të gjuajtur kafshë të egra për t'ia shpënë të atit. 6Atëherë Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, dhe i tha: "Ja, unë dëgjova babanë tënd që i fliste Esaut, vëllait tënd duke i thënë: 7"Më sill gjah dhe më përgatit një gjellë të shijshme, që unë ta ha dhe të të bekoj në prani të Zotit, para se të vdes". 8Prandaj, biri im, bindju zërit tim dhe bëj atë që të urdhëroj. 9Shko tani në kope dhe më sill dy keca të mirë; unë do të përgatis një gjellë të shijshme për babanë tënd, nga ato që i pëlqejnë atij. 10Pastaj ti do t'ia çosh babait tënd që ta hajë, dhe kështu ai do të bekojë para se të vdesë". 11Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: "Ja, vëllai im Esau është leshtor, ndërsa unë e kam lëkurën të lëmuar. 12Ndofta babai im më prek me dorë; do t'i dukem atij mashtrues dhe do të tërheq mbi vete një mallkim në vend të një bekimi". 13Por nëna e tij iu përgjegj: "Ky mallkim le të bjerë mbi mua, biri im! Bindju vetëm asaj që të thashë dhe shko të marrësh kecat". 14Ai vajti pra t'i marrë dhe ia çoi nënës së tij; dhe e ëma përgatiti me to një gjellë të shijshme, nga ato që i pëlqenin babait të tij. 15Pastaj Rebeka mori rrobat më të bukura të Esaut, birit të saj më të madh, që i mbante në shtëpi pranë vetes, dhe ia veshi Jakobit, birit të saj më të vogël; 16dhe me lëkurët e kecave veshi duart e tij dhe pjesën e lëmuar të qafës së tij. 17Pastaj vuri në dorë të Jakobit, birit të saj, gjellën e shijshme dhe bukën që kishte përgatitur. 18Atëherë ai shkoi tek i ati dhe i tha: "Ati im!". Isaku u përgjegj: "Ja ku jam; kush je ti, biri im?". 19Atëherë Jakobi i tha babait të tij: "Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë". 20Por Isaku i tha të birit: "Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?". Ai u përgjegj: "Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë". 21Atëherë Isaku i tha Jakobit: "Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo". 22Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: "Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut". 23Kështu ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore ashtu si duart e vëllait të tij Esau; dhe e bekoi. 24Dhe tha: "A je ti me të vërtetë biri im Esau?". Ai u përgjigj: "Po". 25Atëherë Isaku i tha: "Më shërbe që të ha nga gjahu i birit tim dhe shpirti im të të bekojë". Kështu Jakobi i shërbeu dhe Isaku hëngri. Jakobi i solli edhe verë dhe ai e piu. 26Pastaj babai i tij Isaku i tha: "Tani afrohu dhe më puth, biri im". 27Dhe ai u afrua dhe e puthi. Dhe Isaku ndjeu erën e rrobave të tij dhe e bekoi duke thënë: "Ja, era e tim biri është si era e një fushe, që Zoti e ka bekuar. 28Perëndia të dhëntë vesën e qiellit dhe pjellorinë e tokës, si edhe bollëkun e grurit dhe të verës. 29Të shërbefshin popujt dhe kombet u përkulshin para teje. Qofsh pronar i vëllezërve të tu dhe bijtë e nënës sate u përkulshin para teje. I mallkuar qoftë cilido të mallkon, i bekuar qoftë cilido të bekon!". 30Dhe ndodhi që, pikërisht kur Isaku kishte mbaruar së bekuari Jakobin dhe ky sapo ishte larguar nga prania e të atit Isak, vëllai i tij Esau u kthye nga gjahu. 31Edhe ai përgatiti një gjellë të shijshme dhe ia shpuri babait të tij dhe i tha: "Çohu ati im dhe ha nga gjahu i birit tënd, me qëllim që shpirti yt të më bekojë". 32Isaku, babai i tij, i tha: "Kush je ti?". Ai u përgjegj: "Jam Esau, biri yt i parëlindur". 33Atëherë Isakun e zunë ca të dridhura shumë të forta dhe i tha: "Kush është ai, pra, që gjuajti gjahun dhe ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti dhe e bekova; dhe i bekuar ka për të mbetur ai". 34Me të dëgjuar fjalët e të atit, Esau dha një ulurimë të fortë dhe shumë të hidhur. Pastaj i tha të atit: "Bekomë edhe mua, ati im!". 35Por Isaku iu përgjigj: "Yt vëlla erdhi me mashtrim dhe mori bekimin tënd". 36Esau i tha: "Jo më kot është quajtur Jakob? Ai ma zuri vendin deri tani dy herë: më hoqi parëbirninë dhe ja tani po merr bekimin tim". Pastaj shtoi: "A nuk ke ruajtur një bekim për mua?". 37Atëherë Isaku u përgjegj dhe i tha Esaut: "Ja, unë e bëra zotrinë tënd dhe i dhashë tërë vëllezërit e tij si shërbëtorë, dhe e pajisa me grurë dhe me verë; ç'mund të bëj për ty, biri im?". 38Esau i tha babait të tij: "A ke vetëm këtë bekim, ati im? Bekomë edhe mua, o ati im!". Dhe Esau ngriti zërin dhe qau. 39Isaku, babai i tij, u përgjigj duke i thënë: "Ja, banesa jote do të privohet nga pjelloria e tokës dhe nga vesa që zbret nga lartësia e qiellit. 40Ti do të jetosh me shpatën tënde dhe do të jesh shërbëtori i vëllait tënd; por do të ndodhë që, kur do të luftosh, do ta thyesh zgjedhën e tij nga qafa jote". 41Kështu Esau filloi ta urrejë Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati, dhe tha në zemër të vet: "Ditët e zisë për babanë po afrohen; atëherë do të vras vëllanë tim Jakobin". 42Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj më të madh, ajo dërgoi ta thërrasin birin e saj më të vogël, Jakobin, dhe i tha: "Ja, Esau, yt vëlla, ngushëllohet ndaj teje, duke menduar të të vrasë. 43Prandaj, biri im, bindju fjalëve që të them: Çohu dhe ik shpejt në Haran te Labano, vëllai im; 44dhe qëndro ca kohë me të, deri sa t'i kalojë zemërimi vëllait tënd, 45deri sa mëria e vëllait tënd të largohet prej teje dhe ai të harrojë atë që i ke bërë; atëherë do të dërgojë njerëz që të të marrin prej andej. Pse duhet t'ju humbas që të dyve brënda një dite të vetme?". 46Pastaj Rebeka i tha Isakut: "Jam neveritur nga jeta për shkak të bijave të Hethit. Në rast se Jakobi merr për grua një nga bijat e Hethit, një grua si ato të vendit, ç'më duhet jeta?".

Copyright information for Alb