Ezekiel 31
1Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e tretë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: 2"Bir njeriu, i thuaj Faraonit, mbretit të Egjiptit dhe turmës së tij: Kujt i ngjet ti në madhështinë tënde? 3Ja, Asiria jote ishte një kedër Libani, me degë të bukura, me hijen e një pylli, me trung të gjatë dhe me majë që ngrihej midis degëve të dëndura. 4Ujrat e bënin të rritej, uji i nëndheshëm e kishte bërë të lartë, me lumenjtë e tij që rridhnin rreth e qark vendit ku ishte mbjellë, ndërsa u dërgonte rrëketë e tij tërë drurëve të fushës. 5Prandaj lartësia e saj ishte ngritur mbi të gjithë drurët e fushës, degët e tij ishin shumuar, ato ishin zgjatur nga bollëku i ujrave gjatë rritjes së tij. 6Tërë zogjtë e qiellit bënin folenë midis degëve të tij, tërë kafshët e fushës pillnin nën degët e tij, dhe të gjitha kombet e mëdhenj rrinin në hijen e tij. 7Ishte i bukur në madhështinë e tij për gjatësinë e degëve të tij, sepse rrënja e tij ndodhej pranë ujrave të bollshme. 8Kedrat nuk ia kalonin në kopshtin e Perëndisë, selvitë nuk arrinin të barazonin degët e tij dhe gështenjat nuk ishin as si degët e tij me gjethe; asnjë dru në kopshtin e Perëndisë nuk ishte i barabartë me të nga bukuria. 9E kisha bërë të bukur në bollëkun e degëve të tij, prandaj e kishin zili të gjithë drurët e Edenit, që ndodheshin në kopshtin e Perëndisë". 10Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se është ngritur në lartësi dhe ka vënë majën e tij ndër degë të dendura dhe zemra e tij u bë krenare për shkak të lartësisë së tij, 11do ta jap në dorë të kombit më të fuqishëm, me qëllim që të bëjë me të çfarë i pëlqen; unë e përzura për shkak të ligësisë së tij. 12Të huajt, më të tmerrshmit e kombeve, e prenë dhe e braktisën; degët e tij kanë rënë në male dhe në të gjitha luginat, degët e tij ndodhen të thyera pranë të gjitha rrjedhave ujore të vendit; tërë popujt e dheut kanë zbritur duke u larguar nga hija e tij dhe e kanë braktisur. 13Mbi rrënojat e tij vijnë e qëndrojnë tërë zogjt e qiellit dhe mbi degët e tij janë të gjitha kafshët e fushës, 14kështu që asnjë dru i mbjellë pranë ujrave të mos krenohet për lartësinë e tij, të mos e nxjerrë më majën e tij midis degëve të dëndura dhe që asnjë dru që pi ujë të ngrihet me forcën e tij mbi lartësinë e tij, sepse të gjithë i janë caktuar vdekjes, thellësive të tokës, midis bijve të njerëzve, midis atyre që zbresin në gropë". 15Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ditën që zbriti në Sheol e bëra ditë zie; për të e mbulova humnerën, ndala lumenjtë e tij dhe ujrat e mëdha u ndalën; për të mbajti zi Libani dhe për të u thanë gjithë drurët e fushës. 16Me zhurmën e rënies së tij i bëra të dridhen kombet, kur e bëra të zbresë në Sheol bashkë me ata që zbresin në gropë; dhe në thellësitë e tokës u përdëlluan të gjitha drurët e Edenit, më të zgjedhurit dhe më të bukurit e Libanit, të gjithë ata që pinin ujrat. 17Edhe ata zbritën bashkë me të në Sheol në mes të atyre që u vranë nga shpata, po, ata që ishin krahu i tij dhe qëndronin në hijen e tij në mes të kombeve. 18Kujt i ngjan ti, pra, për nga lavdia dhe madhështia midis drurëve të Edenit? Megjithatë u plandose bashkë me drurët e Edenit në thellësitë e tokës; do të qëndrosh në mes të të parrethprerëve, bashkë me ata që janë vrarë nga shpata. Ja ç'do t'i ndodhë Faraonit dhe gjithë turmës së tij", thotë Zoti, Zoti.
Copyright information for
Alb