‏ Ezekiel 25

1Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: 2"Bir njeriu, kthe fytyrën drejt bijve të Amonit dhe profetizo kundër tyre. 3U thuaj bijve të Amonit: Dëgjoni fjalën e Zotit, të Zotit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se ti the: "Ah, Ah", kundër shenjtërores sime kur ajo u përdhos, kundër vendit të Izraelit kur ai u shkretua dhe kundër shtëpisë së Judës kur ajo shkoi në robëri, 4prandaj ja, unë po të jap në dorë të bijve të lindjes, dhe ata do të ngrejnë fushimet e tyre në mesin tënd dhe në mesin tënd do të ngrenë vendbanimet e tyre; ata do të hanë frytet e tua dhe do të pijnë qumështin tënd. 5Unë do ta bëj Rabahun një vathë për devetë dhe vendin e bijve të Amonit një vathë për dhëntë; atëherë ti do të pranosh se unë jam Zoti". 6Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ti ke rrahur duart, ke rrahur këmbët dhe je gëzuar në zemër me gjithë përçmimin tënd për vendin e Izraelit; 7prandaj ja, unë po shtrij dorën time kundër teje dhe do të të jap si plaçkë të kombeve, do të të shfaros nga popujt dhe do të të bëj të zhdukesh nga rendi i vendeve; do të të shkatërroj, kështu do të pranosh që unë jam Zoti". 8Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se Moabi dhe Seiri thonë: "Ja, shtëpia e Judës është si të gjitha kombet e tjera", 9prandaj ja, unë do të hap krahun e Moabit nga ana e qyteteve, nga ana e qyteteve që janë në kufijtë e tij, lulja e vendit, Beth-Jeshimothi, Baalmeoni dhe Kiriathaimi. 10Do ta jap pastaj në zotërim të bijve të lindjes, bashkë me bijtë e Amonit, me qëllim që bijtë e Amonit të mos kujtohen më midis kombeve. 11Kështu do të zbatoj gjykimet e mia mbi Moabin, dhe ata do të pranojnë që unë jam Zoti". 12Kështu thotë Zoti, Zoti: "Për atë që ka bërë Edomi duke marrë hak kundër shtëpisë së Judës, dhe sepse u bë shumë fajtor duke u hakmarrë kundër saj", 13kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë do të shtrij dorën time kundër Edomit, do të shfaros njerëz dhe kafshë dhe do ta shkretoj; nga Themani deri në Dedan dhe do të bien nga shpata. 14Do ta kryej hakmarrjen time kundër Edomit me anën e popullit tim të Izraelit, që do të trajtojë Edomin sipas zemërimit tim dhe sipas tërbimit tim; kështu ata do të njohin hakmarrjen time", thotë Zoti, Zoti. 15Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se Filistejtë kanë qenë hakmarrës dhe kanë kryer hakmarrje me zemër plot përçmim për të shkatërruar, të shtyrë nga një armiqësi e vjetër", 16prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do ta shtrij dorën time kundër Filistejve, do të shfaros Kerethejtë dhe do të shkatërroj kusurin e bregut të detit. 17Do të kryej kundër tyre një hakmarrje të madhe me ndëshkime të rënda; dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të kryej kundër tyre hakmarrjen time".

Copyright information for Alb