Ezekiel 1
1Në vitin e tridhjetë, më pesë të muajit të katërt, ndodhi që ndërsa isha midis të internuarve pranë lumit Kebar, qiejtë u hapën dhe pata vegime nga ana e Perëndisë. 2Më pesë të muajit (ishte viti i pestë i robërisë së mbretit Jehojakin), 3fjala e Zotit iu drejtua shprehimisht priftit Ezekiel, birit të Buzit, në vendin e Kaldeasve, pranë lumit Kebar; dhe atje lart dora e Zotit qe mbi të. 4Ndërsa po shkoja, ja ku erdhi nga veriu një erë furtune, një re e madhe me një zjarr që mbështillej rreth vetes së tij; rreth tij dhe nga mesi i tij dilte një shkëlqim i madh si ngjyra e bronzit ikandeshent që ndodhet në mes të zjarrit. 5Nga mesi i tij dukej ngjashmëria e katër qënieve të gjalla; dhe kjo ishte pamja e tyre: kishin ngjashmërinë e njeriut. 6Secili prej tyre kishte katër fytyra dhe secili katër krahë. 7Këmbët e tyre ishin të drejta dhe tabani i këmbës së tyre ishte si ai i tabanit të këmbës së një viçi, dhe shkëlqenin si bronzi me lustër. 8Në të katër anët, poshtë krahëve, kishin duar njerëzish; dhe që të katër kishin fytyrat e tyre dhe krahët e tyre. 9Krahët e tyre preknin njeri tjetrin; duke ecur përpara, nuk ktheheshin prapa, por secili shkonte drejt përpara tij. 10Sa për pamjen e fytyrave të tyre, të gjithë kishin fytyrë njeriu, që të katër fytyrë luani në të djathtë, që të katër fytyrë kau në të majtë, dhe që të katër fytyrë shqiponjeje. 11Kështu ishin fytyrat e tyre. Krahët e tyre ishin shtrirë lart; secili kishte dy krahë që preknin njëra tjetrën dhe dy që mbulonin trupin e tyre. 12Secili shkonte drejt përpara tij; shkonin atje ku fryma donte të shkonte dhe, duke shkuar, nuk silleshin. 13Sa për pamjen e qënieve të gjalla, këto dukeshin si qymyre të ndezur, si pishtarë. Zjarri lëvizte në mes të qënieve të gjalla; zjarri ishte i ndritshëm dhe prej tij dilnin shkrepëtima. 14Qëniet e gjalla vraponin përpara dhe prapa, dukeshin si një rrufe. 15Ndërsa shikoja qëniet e gjalla, ja një rrotë për tokë pranë qënieve të gjalla me katër fytyrat e tyre. 16Pamja e rrotave dhe punimi i tyre ishte si pamja e ngjyrës së krizolitit; që të katra i ngjisnin njera tjetrës. Pamja e tyre dhe punimi i tyre si ato të një rrote në mes të një rrote tjetër. 17Kur lëviznin, shkonin në drejtim të njerit prej katër drejtimeve dhe, duke shkuar nuk silleshin prapa. 18Sa për rrathet e tyre ishin të lartë dhe të madhërishëm; dhe rrathët e gjithë të katërve ishin plot me sy rreth e qark. 19Kur lëviznin qëniet e gjalla, edhe rrotat lëviznin pranë tyre dhe, kur qëniet e gjalla ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat. 20Kudo që fryma donte të shkonte, shkonin edhe ata, sepse aty shkonte fryma; rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma qënieve të gjalla ishte në rrota. 21Kur ata lëviznin, edhe rrotat lëviznin; kur këto ndaleshin, edhe ato ndaleshin, dhe kur ngiheshin nga toka, edhe rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma i qënieve të gjalla ishte në rrota. 22Mbi kokat e qënieve të gjalla ishte ngjashmëria e një kupe qiellore, që i përngjiste ngjyrës së një kristali të madhërishëm të shtrirë mbi kokat e tyre. 23Poshtë kupës qiellore shtriheshin drejt krahët e tyre, njëra ndaj tjetrës; secili kishte nga dy që mbulonin një anë dhe dy të tjera që mbulonin anën tjetër të trupit. 24Kur ata lëviznin, unë dëgjoja zhurmën e krahëve të tyre, si zhurmën e ujrave të mëdha, si zëri i të Plotfuqishmit, si zhurma e një rrëmuje të madhe, si oshtima e një ushtrie; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre. 25Dhe dëgjohej një zhurmë nga kupa qiellore lart që ishte mbi kokat e tyre; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre. 26Mbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ndodhej një gjë që i ngjante një froni që dukej si një gur safiri, dhe mbi këtë lloj froni, në pjesën e sipërme të tij, ishte një figurë që i përngjiste një njeriu. 27Nga sa tregonin ijët e tij lart, unë pashë gjithashtu diçka si ngjyra e bronzit inkandeshent që dukej si zjarr brenda tij rreth e qark; dhe nga sa tregonin ijët e tij poshtë pashë diçka që i përngjante zjarrit dhe që lëshonte rreth e qark një shkëlqim të madh. 28Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu, kështu ishte pamja e atij shkëlqimi që e rrethonte. Ajo ishte një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Zotit. Kur e pashë, u rrëzova me fytyrë dhe dëgjova zërin e dikujt që fliste.
Copyright information for
Alb