Exodus 1
1Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij: 2Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda, 3Isakari, Zabuloni dhe Beniamini, 4Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri. 5Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt). 6Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez. 7Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta. 8Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin. 9Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. 10Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi". 11Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t'i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses. 12Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit, 13dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t'u shërbenin me ashpërsi, 14dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t'i bënin tërë këto punë me ashpërsi. 15Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha: 16"Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t'i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë". 17Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj. 18Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: "Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?". 19Mamitë iu përgjigjën Faraonit: "Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t'u vijë mamia pranë". 20Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë. 21Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete. 22Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: "Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat".
Copyright information for
Alb