‏ Ephesians 5

1Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur, 2edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë. 3Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; 4as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime. 5Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë. 6Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. 7Mos jini, pra, shokë me ta. 8Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës, 9sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë, 10duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë. 11Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t'i qortoni, 12sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen. 13Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë. 14Prandaj Shkrimi thotë: ''Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty''. 15Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, 16duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta. 17Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit. 18Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë, 19duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, 20duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht; 21nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit! 22Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, 23sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. 24Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t'i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. 25Ju, burra, t'i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, 26që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, 27që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme. 28Kështu burrat duhet t'i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. 29Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, 30sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij. 31''Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm''. 32Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën. 33Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.

Copyright information for Alb