2 Timothy 4
1Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij: 2prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë. 3Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët 4dhe do t'i largojnë veshët nga e vërteta e do t'i sjellin drejt përrallave. 5Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde. 6Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti. 7Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. 8Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij. 9Përpiqu të vish shpejt tek unë, 10sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci. 11Me mua është vetëm Lluka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë. 12Tikikun e dërgova në Efes. 13Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, pranë Karpit, dhe librat, sidomos pergamenat. 14Aleksandri, remtari, më bëri shumë të këqija; Zoti ia shpagoftë sipas veprave të tij. 15Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i fjalëve tona. 16Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë; kjo të mos u numërohet për faj. 17Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit. 18Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen. 19Të fala Prishilës dhe Akuilës dhe shtëpisë së Onesiforit. 20Erasti mbeti në Korint, por Trofimin e lashë të sëmurë në Milet. 21Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndetin Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit. 22Zoti Jezu Krisht qoftë me frymën tënde! Hiri qoftë me ju! Amen.
Copyright information for
Alb