‏ 2 Samuel 13

1Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të. 2Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t'i bënte gjë. 3Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak. 4Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom". 5Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"". 6Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj". 7Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t'i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë". 8Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi. 9Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t'i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë. 10Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj. 11Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime". 12Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë! 13Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje". 14Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të. 15Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: "Çohu, shko!". 16Por ajo iu përgjigj: "Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani". Por ai nuk deshi ta dëgjojë. 17Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: "Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj". 18Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj. 19Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur. 20Absalomi, vëllai, i tha: "Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë". Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. 21Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë. 22Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara. 23Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit. 24Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: "Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!". 25Por mbreti i tha Absalomit: "Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë". Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij. 26Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?". 27Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit. 28Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: "Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t'ju them: "Goditeni Amnonin!", ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!". 29Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën. 30Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: "Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre". 31Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura. 32Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: "Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara. 33Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur, 34dhe Absalomi ka ikur". Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit. 35Jonadabi i tha mbretit: "Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt". 36Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe. 37Absaloni kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij. 38Kështu Absalimo ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet. 39Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushulluar tanimë nga vdekja e Amnonit.

Copyright information for Alb