‏ 2 Corinthians 8

1Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë, 2se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjërësinë e tyre. 3Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre, 4dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët. 5Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë. 6Kështu ne e këshilluam Titin që, ashtu si e nisi këtë vepër të hirit midis jush, ashtu ta përfundojë. 7Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit. 8Këtë nuk e them si urdhër, por që me anë të kujdesit të të tjerëve të vë në sprovë sinqeritetin e dashurisë suaj. 9Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. 10Lidhur me këtë po ju jap një këshillë, sepse kjo është e dobishme për ju, që vjet filluat jo vetëm ta bëni, por edhe ta dëshironi. 11Tani përfundojeni edhe bërjen që, ashtu si qe dëshira për të dëshiruar, kështu të jetë edhe për ta përfunduar sipas mundësive që keni. 12Sepse, në qoftë se ekziston gatishmëria për të dhënë, ai është i mirëpritur sipas asaj që ka dhe jo sipas asaj që nuk ka. 13Por jo që ju të shtrëngoheni që të lehtësohen të tjerët, 14por të ndiqet vetëm një kriter barazimi; që tani mbushullia juaj të plotësojë nevojat e tyre, kështu që edhe mbushullia e tyre të plotësojë nevojat tuaja, që të ketë barazi, 15sikurse është shkruar: ''Ai që mblodhi shumë, nuk mori më shumë dhe ai që mblodhi pak, nuk mori më pak''. 16Le ta falënderojmë Perëndinë, që i shtiu në zemër Titit po atë kujdes për ju, 17sepse ai jo vetëm që e pranoi këshillën tonë, por u nis për të ardhur te ju, me dëshirën e tij dhe me shumë zell. 18Edhe bashkë me të dërguam edhe vë-llanë, lëvdimi i të cilit për predikimin e ungjillit u përhap në të gjitha kishat, 19dhe jo vetëm kaq, por ai u zgjodh nga kishat që të jetë shoku ynë në udhëtim me këtë dhuratë që ne administrojmë për lavdinë e Zotit vetë, për të treguar gatishmërinë e zemrës suaj, 20duke shmangur qortimin e ndonjërit në këtë dhuratë bujare që administrohet prej nesh, 21sepse kujdesemi të veprojmë mirë jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve. 22Edhe ne dërguam bashkë me ta vëllanë tonë, të cilin e kemi vënë në sprovë shumë herë në shumë gjëra dhe doli i zellshëm, por tani është edhe më i zellshëm për shkak të besimit të madh që ka ndaj jush. 23Sa për Titin, ai është bashkëpunëtori im dhe shok i veprës midis jush; sa për vëllezërit, ata janë apostuj të kishave, lavdi e Krishtit. 24U tregoni atyre provën e dashurisë suaj dhe pse mburremi me ju edhe përpara kishave.

Copyright information for Alb