‏ 2 Corinthians 4

1Prandaj, duke pasur këtë shërbim për mëshirën që na është bërë, ne nuk na lëshon zemra. 2Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë. 3Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, 4të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata. 5Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit, 6sepse Perëndia që tha: ''Le të ndriçojë drita në errësirë'', është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t'na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit. 7Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne. 8Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; 9jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar; 10kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. 11Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm. 12Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta. 13Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: ''Unë besova, prandaj fola'', edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, 14duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju. 15Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit. 16Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. 17Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie; 18ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.

Copyright information for Alb