‏ 2 Corinthians 12

1Sigurisht nuk kam dobi nga të mburrurit; prandaj do t'ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit. 2Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell. 3Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di), 4u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri. 5Për atë njeri unë do të krenohem, por nuk do të krenohem për veten time, veç se për dobësitë e mia. 6Edhe sikur të doja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën; por nuk e bëj këtë, se mos ndonjë më çmon më tepër nga ajo që më sheh, a më tepër nga ajo që dëgjon nga unë. 7Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m'u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh. 8Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë. 9Por ai më tha: ''Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi''. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. 10Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë. 11U bëra i marrë duke u mburrur; ju më shtrënguat, sepse u desh që ju të më rekomandoni, sepse nuk qeshë aspak më poshtë se apostujt e lartë, edhe pse unë nuk jam asgjë. 12Shenjat e apostullit u vërtetuan ndër ju me durim të madh, me shenja e mrekulli dhe çudira. 13Vallë nëse ju mbetët prapa, pra, nga kishat e tjera, rveç se në faktin se unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë gabim. 14Ja, kjo është e treta herë që jam gati të vij te ju, dhe nuk dua t'ju bëhem barrë, sepse s'kërkoj pasuritë tuaja, por juve; sepse bijtë nuk e kanë për detyrë të mbledhin për prindërit, por prindërit për bijtë. 15Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithse ju dua më fort dhe më doni më pak. 16Ashtu qoftë! Unë nuk u bëra barrë për ju; megjithatë, duke qenë dinak ju zura me dredhi. 17Mos përfitova vallë ndonjë gjë nga ju me anë të ndonjë që dërgova te ju? 18Unë iu luta Titit dhe me të dërgova edhe këtë vëlla. Mos përfitoi gjë Titi nga ju? A nuk kemi ecur me të njëjtin frymë dhe në të njëjtat gjurmë? 19A mendoni përsëri se ne kërkojmë të justifikohemi para jush? Ne flasim përpara Perëndisë, në Krishtin, dhe të gjitha këto, o fort të dashur, janë për ndërtimin tuaj. 20Sepse kam frikë se mos kur të vij nuk ju gjej sikundër kam dashur dhe se mos ju më gjeni sikundër nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zemërime, shpërthime, përgojime, insinuata, kryelartësi, ose trazira midis jush; 21se mos kur të vijë sërish, Perëndia im do të më përulë në mes tuaj dhe unë do të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më parë dhe nuk u penduan për fëlliqësinë, kurvërinë dhe shthurjen që praktikuan.

Copyright information for Alb