2 Chronicles 32
1Mbas këtyre gjërave dhe këtyre veprimeve besnikërie të Ezekias, Senasheribi, mbret i Asirisë, erdhi, hyri në Judë dhe rrethoi qytetet e fortifikuara, me qëllim që t'i pushtonte. 2Kur Ezekia pa që Senasheribi kishte ardhur me qëllim që të sulmonte Jeruzalemin, 3vendosi me komandantët e tij dhe me trimat e tij të mbyllnin ujërat e burimeve që ndodheshin jashtë qytetit; dhe ata e ndihmuan në këtë punë. 4Kështu u mblodh një numër i madh njerëzish, të cilët i zunë të gjitha burimet dhe përroin që rridhte nëpër vend, duke thënë: "Pse mbreti i Asirisë duhet të vijë dhe të gjejë ujë me shumicë?". 5Atëherë Ezekia mori guxim, rindërtoi të gjitha muret e rrëzuara, ngriti kulla dhe përjashta ndërtoi një mur të jashtëm; gjithashtu ai fortifikoi Milon në qytetin e Davidit dhe urdhëroi të bëheshin shumë ushta dhe mburoja. 6Caktoi komandantë ushtarakë mbi popullin, i mblodhi rreth vetes në sheshin e qytetit dhe i foli zemrës së tyre, duke thënë: 7"Tregohuni të fortë dhe trima! Mos kini frikë dhe mos u tronditni para mbretit të Asirisë dhe para morisë që është me të, sepse me ne është një më i madh nga ai që ndodhet me të. 8Me të është një krah prej mishi, por me ne është Zoti, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar nël betejat tona". Populli u qetësua nga fjalët e Ezekias, mbretit të Judës. 9Mbas kësaj Senasheribi, mbret i Asirisë, ndërsa ndodhej me të gjitha forcat e tij përballë Lakishit, dërgoi shërbëtorët e tij në Jeruzalem për t'i thënë Ezekias, mbretit të Judës, dhe të gjithë atyre të Judës që ndodheshin në Jeruzalem: 10"Kështu flet Senasheribi, mbret i Asirëve: Ku e mbështetni besimin që qëndroni të rrethuar në Jeruzalem? 11A nuk po ju gënjen Ezekia me qëllim që të vdisni nga uria dhe nga etja, duke thënë: "Zoti, Perëndia ynë, do të na çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë"? 12A nuk i ka hequr vallë vetë Ezekia vendet e tij të larta dhe altarët e tij, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni përpara një altari të vetëm dhe mbi të do të ofroni temjan"? 13A nuk e dini ju çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi gjithë popujve të vendeve të tjera? A kanë qenë të aftë perënditë e kombeve të këtyre vendeve të çlirojnë në një farë mënyre vendet e tyre nga duart e mia? 14Midis tërë perëndive të këtyre kombeve që etërit e mi kanë caktuar për shfarosje, kush, pra, ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime? Si do të mund t'ju çlirojë Perëndia juaj, pra, nga dora ime? 15Prandaj tani mos e lini Ezekian t'ju gënjejë dhe t'ju mashtrojë në këtë mënyrë; mos i zini besë! Duke qenë se asnjë perëndi e ndonjë kombi o mbretërie, nuk ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime apo nga dora e etërve të mi, aq më pak Perëndia juaj do të mund t'ju çlirojë nga dora ime!". 16Shërbëtorët e tij flissnin akoma kundër Zotit Perëndi dhe kundër shërbëtorit të tij Ezekia. 17Senasheribi shkroi gjithashtu letra për të sharë Zotin, Perëndinë e Izraelit, dhe për të folur kundër tij, duke thënë: "Ashtu si perënditë e kombeve të vendeve të tjera nuk i kanë çliruar popujt e tyre nga dora ime, kështu as Perëndia i Ezekias nuk do ta çlirojë popullin e tij nga dora ime". 18Ata bërtitën me zë të lartë në gjuhën judaike duke iu drejtuar popullit të Jeruzalemit që rrinte mbi muret, për ta trembur dhe për ta tmerruar, dhe kështu të shtinin në dorë qytetin. 19Ata folën kundër Perëndisë të Jeruzalemit ashtu si kundër perëndive të popujve të tokës, që janë vepër e dorës së njeriut. 20Por mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, bir i Amotsit, u lutën me këtë rast dhe klithën në drejtim të qiellit. 21Atëherë Zoti dërgoi një engjëll që shfarosi gjithë burrat e fortë dhe trima, princat dhe komandantët në kampin e mbretit të Asirisë. Ky u kthye në vendin e tij i mbuluar me turp; pastaj hyri në tempullin e perëndisë së tij, ku vetë bijtë e tij e vranë me shpatë. 22Kështu Zoti shpëtoi Ezekian dhe banorët e Jeruzalemit nga dora e Senasheribit, mbretit të Asirisë, dhe nga dora e gjithë të tjerëve dhe i mbrojti rreth e qark. 23Një numër i madh njerëzish i çuan oferta Zotit në Jeruzalem dhe sende të çmuara Ezekias, mbretit të Judës, i cili qysh atëherë u madhërua në sytë e tërë kombeve. 24Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit, që i foli dhe i dha një shenjë. 25Por Ezekia nuk iu përgjigj mirësisë që iu bë atij, sepse zemra e tij ishte bërë krenare; prandaj mbi të, mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin ra zemërimi i Zotit. 26Pastaj Ezekia e përunji krenarinë e zemrës së tij, ai dhe banorët e Jeruzalemit; prandaj zemërimi i Zotit nuk erdhi mbi ta gjatë jetës së Ezekias. 27Ezekia pati pasuri shumë të mëdha dhe nder. Ai bëri depozita për argjendin, arin, gurët e çmuar, aromat, mburojat, dhe për çdo lloj objektesh të çmuara, 28magazina për drithërat, verën e vajin, stalla për çdo lloj gjedhi dhe vathë për delet. 29Vec këtyre ndërtoi qytete dhe pati një numër të madh kopesh dhe bagetish të trasha, sepse Perëndia i kishte dhënë pasuri shumë të mëdha. 30Ishte Ezekia vetë që mbylli burimin e sipërm të ujrave të Gihonit dhe i kanalizoi poshtë në anën perëndimore të qytetit të Davidit. Ezekia ia doli mbanë në të gjitha veprat e tij. 31Por kur krerët e Babilonisë i dërguan lajmëtarë për t'u informuar për mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi për ta vënë në provë e për të njohur gjithçka që ishte në zemrën e tij. 32Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe veprat e tij të mira janë shkruar në vizionin e profetit Isaia, bir i Amotsit, dhe në librin e mbretërve të Judës e të Izraelit. 33Pastaj Ezekia pushoi bashkë me etërit e tij dhe u varros në shpalin e varreve të bijve të Davidit; në vdekjen e tij gjithë Juda dhe banorët e Jeruzalemit i bënë nderime. Në vend të tij mbretëroi biri i tij Manasi.
Copyright information for
Alb