2 Chronicles 16
1Në vitin e tridhjetë e gjashtë të mbretërisë së Asas, Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun për të penguar që dikush të hynte apo të dilte nga Asa, mbret i Judës. 2Atëherë Asa nxori nga thesaret e shtëpisë të Zotit dhe të pallatit mbretëror argjend dhe ar dhe ia dërgoi Ben-Hadadit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, duke thënë: 3"Le të ketë aleancë midis teje dhe meje, ashtu si kishte midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj argjend dhe ar: prandaj, prishe aleancën me Baashan, mbretin e Izraelit me qëllim që ai të tërhiqet nga unë". 4Ben-Hadadi e dëgjoi mbretin Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qyteteve të Izraelit. Këta sulmuan Ijonin, Danin, Abel-Maimin dhe të gjitha qytetet-depozitë të Neftalit. 5Kur Baasha e mësoi këtë, e ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe pezulloi punimet e tij. 6Atëherë mbreti Asa mori të gjithë ata të Judës, që morën gurët dhe lëndën e drurit që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar Ramahun dhe me to ndërtoi Geban dhe Mitspahun. 7Në atë kohë shikuesi Hanani shkoi tek Asa, mbret i Judës, dhe i tha: "Me qenë se u mbështete te mbreti i Sirisë dhe nuk u mbështete tek Zoti, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Sirisë të shpëtoi nga dora. 8A nuk ishin vallë Etiopasit dhe Libianët një ushtri e pamasë me një numër shumë të madh qerresh dhe kalorësish? Megjithatë, me qenë se ishe mbështetur tek Zoti ai i dha në duart e tua. 9Në të vërtetë Zoti me sytë e tij shikon përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij. Në këtë ti ke vepruar si një i pamend; prandaj tani e tutje do të kesh luftëra". 10Asa u indinjua dhe e futi në burg, sepse ishte zemëruar me të për këto gjëra. Në këtë kohë Asa u suall egërsisht edhe me disa njerëz nga populli. 11Por ja, bëmat e Asait nga të parat deri në ato të fundit, i gjejmë të shkruara në librin e mbretit të Judës dhe të Izraelit. 12Në vitin e tridhjetë e nëntë të mbretërimit të tij Asa u sëmur nga këmbët, dhe sëmundja e tij ishte shumë e rëndë, por gjatë sëmundjes së tij Ai nuk kërkoi Zotin, por iu drejtua mjekëve. 13Kështu Asa pushoi bashkë me etërit e tij dhe vdiq në vitin e dyzetenjëtë të mbretërisë së tij. 14E varrosën në varrin që i kishte hapur vetes në qytetin e Davidit, e vendosën mbi një shtrat plot me aroma dhe melheme të ndryshme të parfumuara, të përgatitura sipas artit të parfumierit, dhe dogjën një sasi të madhe prej tyre për nder të tij.
Copyright information for
Alb