1 Peter 3
1Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, 2kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë. 3Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura, 4por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë. 5Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre, 6ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur "zot"; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë. 7Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja. 8Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës, 9pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin. 10Sepse ''kush don ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim; 11të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë, 12sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen''. 13Dhe kush do t'ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën? 14Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! ''Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni'', 15madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t'u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje, 16duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t'ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin. 17Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq, 18sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma, 19me anë të së cilës ai shkoi t'u predikojë frymërave që ishin në burg, 20që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit, 21i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit, 22i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.
Copyright information for
Alb