‏ 1 Kings 17

1Elia, Tishbiti, një nga banorët e Galaadit i tha Ashabit: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, në prani të të cilit unë ndodhem, nuk do të ketë as vesë as shi gjatë këtyre viteve, veçse me fjalën time". 2Pastaj fjala e Zotit iu drejtua atij, duke thënë: 3"Largohu që këtej, ktheu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit. 4Do të pish ujë në përrua dhe unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje". 5Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit. 6Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua. 7Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin. 8Atëherë Zoti i foli, duke thënë: 9"Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të Sidonëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin". 10Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi". 11Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri dhe i tha: "Më sill edhe një copë bukë". 12Ajo u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t'i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t'i hamë dhe pastaj kemi për të vdekur". 13Elia i tha: "Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd. 14Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë"". 15Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias; dhe kështu hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë. 16Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias. 17Mbas këtyre ngjarjeve, biri i gruas, që ishte e zonja e shtëpisë, u sëmur; sëmundja e tij qe aq e rëndë, sa nuk i mbeti më frymë jete. 18Atëherë ajo i tha Elias: "Çfarë lidhje kam me ty, o njeri i Perëndisë? Ndofta ke ardhur tek unë për të më kujtuar mëkatin që kam bërë dhe për të vrarë djalin tim?". 19Ai iu përgjigj: "Më jep djalin tënd". Kështu ia mori nga gjiri i saj, e çoi në dhomën lart dhe e shtriu në shtratin e tij. 20Pastaj i kërkoi ndihmë Zotit dhe tha: "O Zot, Perëndia im, mos ke goditur me fatkeqësi edhe këtë grua të ve, që më strehon, duke bërë t'i vdesë i biri?". 21U shtri pastaj tri herë mbi fëmijën dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "O Zot, Perëndia im, të lutem bëj që t'i kthehet shpirti kësaj fëmije". 22Zoti e plotësoi dëshirën e shprehur në zërin e Elias; shpirti i fëmijës u kthye tek ai dhe ai mori jetë përsëri. 23Atëherë Elia mori fëmijën, e zbriti nga dhoma e sipërme e shtëpisë dhe ia dha nënës së tij, duke i thënë: "Shiko, fëmija jote është gjallë!". 24Atëherë gruaja i tha Elias: "Tani pranoj që ti je një njeri i Perëndisë dhe që fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë".

Copyright information for Alb
The selected Bible will not be clickable as it does not support the Vocabulary feature. The vocabulary is available by hovering over the verse number.

Everyone uses cookies. We do too! Cookies are little bits of information stored on your computer which help us give you a better experience. You can find out more by reading the STEPBible cookie policy.