‏ 1 Kings 15

1Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, birit të Nebatit, Abijami filloi të mbretërojë mbi Judën. 2Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit. 3Ai kreu mëkatet që i ati kishte bërë para tij dhe zemra e tij nuk iu shenjtërua plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij. 4Megjithatë për dashurinë që ushqente për Davidin, Zoti, Perëndia i tij, i la një llambë në Jeruzalem, dhe e ngriti të birin mbas tij dhe e bëri të qendrueshëm Jeruzalemin, 5sepse Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, Hiteut. 6Midis Roboamit dhe Jeroboamit pati luftë sa qe gjallë Roboami. 7Pjesa tjetër e bëmave të Abijamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Pati luftë midis Abijamit dhe Jeroboamit. 8Pastaj Abijamin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa. 9Në vitin e njëzet të mbretërisë së Jeroboamit, mbretit të Izraelit, Asa filloi të mbretërojë në Judë. 10Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit. 11Asa bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu si i ati Davidi. 12Eliminoi nga vendi ata që merreshin me kurvëri të shenjtë dhe tërë idhujtë e krijuar nga etërit e tij. 13Hoqi nga posti i mbretëreshës nënën e tij Maakah, sepse ajo kishte bërë një idhull të neveritshëm të Asherahut; Asa e rrëzoi atë idhull të neveritshëm dhe e dogji pranë përroit Kidron. 14Por vendet e larta nuk u eliminuan; megjithatë zemra e Asas mbeti plotësisht e shenjtëruar Zotit gjatë gjithë jetës së tij. 15Ai solli në shtëpinë e Zotit gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat që ai vetë i kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe enët. 16Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre. 17Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun, me qëllim që të pengonte këdo që të shkonte ose të vinte nga Asa, mbret i Judës. 18Atëherë Asa mori tërë argjendin dhe arin që kishte mbetur në thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror dhe ua dorëzoi shërbëtorëve të tij; mbreti Asa i dërgoi pastaj te Ben-Hadadi, bir i Tabrimonit, që ishte bir i Hezionit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, për t'i thënë: 19"Le të ketë aleancë midis teje dhe meje ashtu si ka pasur midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj një dhuratë ari dhe argjendi; shko dhe prishe aleancën tënde me Baasham, mbretin e Izraelit, me qëllim që ai të tërhiqet nga unë". 20Ben-Hadadi dëgjoi këshillat e mbretit Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qytetit të Izraelit; pushtoi Ijoin, Danin, Abel-Beth-Maakahun dhe tërë krahinën e Kinerothit me gjithë vendin e Neftalit. 21Sapo Baasha e mësoi këtë lajm, ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe qëndroi në Tirtsah. 22Atëherë mbreti Asa thirri tërë ata të Judës, pa përjashtuar asnjë; ata morën nga Ramahu gurët dhe lëndën që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar, dhe me këto materiale mbreti Asa ndërtoi Geban e Beniaminit dhe Mitspahun. 23Pjesën tjetër të bëmave të Asas, të gjitha trimëritë e tij, të gjitha ato që bëri dhe qytetet që ndërtoi a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Por në pleqëri ai vuante nga një dhimbje te këmbët. 24Pastaj e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Jozafati. 25Nadabi, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izrael vitin e dytë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në Izrael dy vjet. 26Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e atit të tij dhe mëkatin në të cilin e kishte futur Izraelin. 27Pastaj Baasha, bir i Ahijahut, nga shtëpia e Isakarit, komplotoi kundër tij dhe e vrau në Gibethon që u përkiste Filistejve, ndërsa Nadabi dhe tërë Izraeli kishin rrethuar Gibethonin. 28Baasha e vrau në vitin e tretë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij. 29Me t'u bërë mbret, ai shfarosi tërë shtëpinë e Jeroboamit; nga Jeroboami s'la të gjallë asnjë, për e shfarosi krejt shtëpinë e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoit me anë të shërbëtorit të tij Ahijah, Shilonitit, 30për shkak të mëkateve të Jeroboamit, të kryera nga ai dhe që Izraeli i kreu me nxitjen e tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit. 31Pjesa tjetër e bëmave të Nadabit dhe të gjitha atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? 32Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë kohës së jetës së tyre. 33Vitin e tretë të sundimit të Asas, mbretit të Judës, Baasha, bir i Ahijahut, filloi të mbretërojë mbi tërë Izraelin në Tirtsah; dhe mbretëroi njëzet e katër vjet. 34Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vazhdoi rrugët e Jeroboamit dhe mëkatin që ky e kishte shtyrë Izraelin të kryente.

Copyright information for Alb
The selected Bible will not be clickable as it does not support the Vocabulary feature. The vocabulary is available by hovering over the verse number.