1 John 3
1Shikoni ç'dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë. 2Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç'do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. 3Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai. 4Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit. 5Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat. 6Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur. 7Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai. 8Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. 9Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia. 10Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet. 11Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin, 12jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta. 13Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren. 14Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje. 15Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete. 16Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit. 17Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë? 18Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë. 19Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t'i bindim zemrat tona para atij; 20sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë. 21Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë; 22dhe ç'të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij. 23Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai. 24Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.
Copyright information for
Alb