1 Chronicles 12
1Këta janë njerëzit që erdhën te Davidi në Tsiklag, kur ai qendronte larg pranisë së Saulit, birit të Kishit; ata ishin një pjesë e trimave që e ndihmuan në luftë; 2ishin të armatosur me harqe dhe mund të përdornin si dorën e djathtë ashtu edhe atë të majtë për të hedhur gurë dhe për të gjuajtur shigjeta me hark; i përkisnin fisit të Beniaminit, vëllezër të Saulit. 3I pari i tyre ishte Ahiezeri, pastaj Joasi, bij të Shemaahut, nga Giberahu; Jezieli dhe Peleti, bij të Azmavethit; Berakahu dhe Jehu nga Anathothi; 4Ishmajahu nga Gabaoni, trim midis të tridhjetëve dhe i pari i tyre; Jeremia, Jahazieli, Johanani, Jozabadi nga Gedera 5Eluzai, Jerimothi, Bealiahu, Shemariahu, Shefatiahu nga Harufi; 6Elkanahu, Jishshiahu, Azareli, Joezeri dhe Jashobeami, Koraiti; 7Joelahu dhe Zebadiahu, bij të Jerohamit nga Gedori. 8Ndër Gaditët disa njerëz vendosën të bashkohen me Davidin në kalanë e shkretëtirës; ishin njerëz të fortë dhe trima, të stërvitur për luftë, të shkathët në përdorimin e mburojës dhe të shtizës; fytyrat e tyre ishin si fytyrat e luanëve dhe në malet ishin të shpejtë si gazelat. 9Ezeri ishte i pari i tyre, Obadiahu vinte i dyti dhe Eliabi i treti, 10Mishmanahu i katërti, Jeremia i pesti 11Atai i gjashti, Elieli i shtati, 12Johanani i teti, Elzabadi i nënti, 13Jeremia i dhjeti, Makbanai i njëmbëdhjeti. 14Këta Gaditë ishin komandantë të ushtrisë; më i vogli komandonte njëqind ushtarë, më i madhi një mijë. 15Këta janë ata që kaluan Jordanin në muajin e parë kur ky lumë kishte dalë nga shtrati i tij, dhe i bënë të ikin me vrap tërë banorët e luginave, në lindje dhe në perëndim. 16Edhe disa nga bijtë e Beniaminit e të Judës shkuan te Davidi në kala. 17Davidi u doli përpara dhe, duke marrë fjalën, tha: "Në rast se keni ardhur tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me juve, por në se keni ardhur për të më tradhëtuar dhe për të më dorëzuar në duart e kundërshtarëve të mi, megjithëse unë nuk kam përdorur fare dhunën, Perëndia i etërve tanë le të shohë dhe le të dënojë". 18Atëherë Fryma e përshkoi Amasain, të parin e të tridhjetëve, që thirri: "Ne jemi me ty, David; jemi me ty, o biri i Isait! Paqe, paqe ty dhe paqe atij që të ndihmon, sepse Perëndia yt të ndihmon". Atëherë Davidi i priti dhe i bëri komandantë të trupave. 19Edhe nga Manasi disa kaluan me Davidin, kur ky vajti me Filistejtë për të luftuar kundër Saulit; por këta nuk i dhanë asnjë ndihmë Filistejve, sepse princat e Filistejve, mbasi u konsultuan, e kthyen prapa Davidin, duke thënë: "Ai ka për të kaluar me zotërinë e tij Saul duke vënë në rrezik kokat tona". 20Ndërsa shkonte në Tsiklag, ata të Manasit që kaluan me të ishin Adnahu, Jozbadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihu, Tsillethai, komandantë të mijësheve që i përkisnin Manasit. 21Këta e ndihmuan Davidin kundër bandave të plaçkitësve, sepse ishin të gjithë njerëz të fortë dhe trima dhe u bënë komandantë në ushtri. 22Në atë kohë, në të vërtetë, çdo ditë disa vinin te Davidi për ta ndihmuar deri sa formoi një ushtri të madhe si ushtria e Perëndisë. 23Ky është numri i krerëve të armatosur për luftë, që shkuan te Davidi në Hebron për t'i kaluar atij mbretërinë e Saulit, sipas fjalës së Zotit. 24Bijtë e Judës, që mbanin mburoja dhe shtiza ishin gjashtë mijë e tetëqind veta, të armatosur për luftë. 25Nga bijtë e Simeonit, njerëz të fortë dhe trima në luftë, ishin shtatë mijë e njëqind veta. 26Nga bijtë e Levit, katër mijë e gjashtëqind veta; 27përveç Jehojadit, princit të familjes së Aaronit, që kishte tre mijë e shtatëqind veta, 28dhe Tsadoku, një i ri i fortë dhe trim, me njëzet e dy krerë të shtëpisë së tij atërore. 29Nga bijtë e Beniaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë (sepse pjesa më e madhe e tyre i kishte qëndruar besnike deri atëherë shtëpisë së Saulit). 30Nga bijtë e Efraimit, njëzet mijë e tetëqind veta, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, sipas shtëpive të tyre atërore. 31Nga gjysma e fisit të Manasit, tetëmbëdhjetë mijë veta, që u zgjodhën individualisht për të vajtur dhe për ta shpallur mbret Davidin. 32Nga bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohrat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli: dyqind krerë dhe tërë vëllezërit e tyre në urdhrat e tyre. 33Nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë, që shkonin të luftonin, të shkathët për tu vendosur në rend beteje me të gjitha armët e luftës dhe të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur. 34Nga Neftali, një mijë krerë dhe me ta tridhjetë e shtatë mijë njerëz me mburoja dhe shtiza. 35Nga Danitët, të shkathët për t'u radhitur në rend beteje, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind veta. 36Nga Asheri, dyzet mijë, që shkonin të luftonin dhe që ishin të shkathët për t'u vendosur në rend beteje. 37Nga ana tjetër e Jordanit, nga Rubenitët, nga Gaditët dhe nga gjysma e fisit të Manasit, njëqind e njëzet mijë veta, të pajisur me të gjitha armët për të luftuar. 38Tërë këta luftëtarë, të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur, erdhën në Hebron për ta shpallur Davidin mbret mbi tërë Izraelin; edhe pjesa tjetër e Izraelit ishte në një mëndje për ta bërë mbret Davidin. 39Ata qëndruan atje tri ditë me Davidin, duke ngrënë dhe duke pirë, sepse vëllezërit e tyre kishin siguruar ushqim për ta. 40Edhe nga ata që banonin afër tyre, madje edhe nga Isakari, nga Zabuloni dhe nga Neftali sillnin ushqime me gomarë, me deve, me mushka dhe me qe, furnizime të mëdha: miell, bukëfiqe dhe rrush të thatë, verë, vaj, lopë dhe dele me bollëk; sepse Izraeli ishte shend e verë.
Copyright information for
Alb